Tre policë për një banor! Kapri shkon në Rrjoll, denoncon dhunën ndaj grave protestuese

Banorët e Rrjollit që kanë më shumë se tre javë që protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën ku ata pretendojnë se kanë tokat e tyre në pronësi janë përplasur dhunshëm sërish këtë të martë me efektivët e Policisë dhe disa prej tyre janë shoqëruar në Komisariat nga uniformat blu.
Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ishte sërish në Rrjoll në mbështetje të banorëve protestues, për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre në lidhje me sjelljet e Policisë së Shtetit.
Deputeti Kapri tha se banorët kërkojnë që firma ndërtuese të ndalë punimet deri në vendimin e Gjykatës për të gjitha familjet që thonë se i kanë tokat e tyre me dokumente. Kjo pasi një ditë më parë, Gjykata e Apelit njohu pronësinë e tokës për një nga familjet protestuese.
“Dje morëm një lajm shumë të mirë që Gjykata e Apelit, vendimi i formës së prerë i ka njohur një prej familjeve pronën këtu dhe që në këtë moment duhet të kishte një reflektim nga institucionet mbi këtë vendim gjykate.
Pra minimalisht këtu duhet të ndalonin punimet, duhet të ndalonin punimet se ka një vendim gjykate.
Po ashtu edhe Policia e Shtetit duhet të sillej ndryshe me ju. Por kjo nuk po ndodh dhe ne jemi të shqetësuar për çka po ndodh këtu në Rrjoll”, u shpreh Kapri.

Sipas deputetit të Partisë Mundësia, është e papranueshme që Policia nuk e respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar si dhe tregon forcën me ta edhe përmes numrit të shtuar të efektivëve që ndalojnë banorët e Rrjolit.

“Më bëri një gjë përshtypje kur erdha këtu që ka tre policë për banorë, tre policë për banorë edhe po shqetësohesha që nëse ndodh një krim në Shkodër s’kemi forca policie se kanë ardhur të gjithë këtu duke mbajtur banorët, duke i tërhequr zvarrë edhe duke i çuar në Komisariat pse protestoni për të drejtën tuaj”, u shpreh Kapri.

Sipas deputetit Kapri, me arrestimet e nënave me fëmijë që protestojnë për tokat e tyre, Policia e Shtetit ka shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut. Ai u bëri thirrje efektivëve që të ndalin sjelljet arbitrare ndaj qytetarëve që kërkojnë të drejtat e pronës.

“Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit: Respektoni protestën e këtyre banorëve!
Duhet ta respektoni, protesta është e shenjtë. Kam parë që keni marrë nëna me fëmijë i keni shoqëruar në Komisariat. Kjo është shkelje e rëndë. Kjo është shkelje e rëndë, informoni edhe drejtuesit tuaj që kjo që po bëhet këtu është një shkelje e rëndë e lirive dhe të drejtave të njeriut”.
Deputeti Kapri tha se protesta e banorëve të Rrjollit për pronat është e shenjtë dhe i inkurajoi ata të mos ndalen duke kërkuar të drejtën e tyre. Ndërsa premtoi se Partia Mundësia do të jetë në mbështetje të tyre duke e ngritur zërin në Parlament por edhe tek ndërkombëtarët.
“Është e pafalshme që nuk respektohet protesta e tyre, është e pafalshme që nuk respektohet prona e tyre. Ne do t’i mbështesim si Partia Mundësia, do ta ngremë zërin kudo, edhe me ndërkombëtarët edhe në media që këta banorë të marrin të drejtën e tyre, të marrin atë që u takon”, tha Kapri.

Edhe këtë të martë, disa prej organizatorëve të protestës, janë shoqëruar në Komisariat nga policia. Partia Mundësia ka qenë në krah të banorëve të Rjollit që nga dita e parë e protestës së tyre, duke e konsideruar të drejtën e pronës, një të drejtë të shenjtë për qytetarët.