Presidenti serb Aleksander Vuçiç është dorëzuar para protestave të studentëve dhe ka pranuar kërkesën e tyre kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2026.
Pas protestave të mëdha, studentët filluan mbledhjen e nënshkrimeve ku kërkohej shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.
“E kemi pranuar kërkesën e tyre kryesore. Vitin e ardhshëm do të shkojmë në zgjedhje parlamentare, por vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat. Do të shkojmë në zgjedhje që t’i mposhtim kundërshtarët tanë politikë, që janë pa program e pa ide në çdo qytet të Serbisë. U organizuan më shumë se 25,000 tubime të paligjshme. Ata bllokuan trafikun dhe u përpoqën që të kishte viktima. Kjo është arsyeja pse them se ata donin të krijonin një Maidan, duke krijuar kaos. Zgjedhjet nuk fitohen me gënjeshtra, por me punë të vërtetë, duke luftuar për qytetarët e Serbisë, duke luftuar për popullin”, tha Vuçiç.
Ai foli edhe për opozitën serbe, ku tha se ajo nuk ka asnjë ide politike dhe as rreth Kosovës.
“Njëra pjesë e opozitës është për njohjen e Kosovës, dhe tjetra është të shkohet në luftë me Prishtinën që nesër. Janë po ata që, pavarësisht faktit se e shkatërruan ushtrinë vite më parë, pikërisht tani donin të shkonin në luftë me Prishtinën. Kur nuk ke një politikë, nuk ke plane, nuk ke ide, nuk ke një program, nuk ke asgjë për t’u ofruar njerëzve, pas një kohe njerëzit e kuptojnë se ajo dozë pasioni ka kaluar. Le të kthehemi në një jetë të vërtetë, serioze dhe të përgjegjshme. Mendoj se është e rëndësishme të tregohet se Beogradi dhe Serbia po kthehen plotësisht në normalitet, pavarësisht faktit se shumë nuk e donin këtë”, u shpreh presidenti serb.