Shehaj ftesë partive opozitare: Të diskutojmë një strategji të përbashkët për të mbrojtur drejtësinë nga kërcënimet e mazhorancës

Ditën e nesërme partia Mundësia do të zhvillojë një tryezë për të paraqitur një platformë kundër korrupsionit dhe për mbrojtjen e drejtësisë.

Kreu i partisë Mundësia Agron Shehaj në një intervistë për News 24 u shpreh se sot vendi ynë ndodhet në një moment historik pasi për herë të parë të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Shehaj kritikoi opozitën, e cila nuk përfaqëson qytetarët, të cilët duan një strategji në mbrojtje të drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit.

“Është e qartë që ne, që Shqipëria ndodhet në një moment historik. Për herë të parë, të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Edhe në shoqërinë shqiptare ka një entuziazëm në lidhje me këtë ngjarje historike. Unë mendoj që Shqipëria po kalon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj, pas vitit 91, rrëzimit të regjimit komunist, ky është momenti më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë.

Në këto kushte kemi një shoqëri që është entuziaste, nga ana tjetër kemi një qeveri dhe mazhorancë që vazhdon të sulmojë dhe kërkon të kontrollojë drejtësinë dhe në anën tjetër kemi një opozitë që nuk përfaqëson opinionin publik, shoqërinë shqiptare, e cila do që ne të kemi një strategji të qartë në mbrojtje të drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Opozita është pa strategji, pa drejtim” tha mes të tjerash Shehaj.

Shehaj kishte një ftesë për të gjitha partitë opozitare, por edhe qytetarët, aktivistët për të diskutuar rreth një strategjie për të mbrojtur drejtësinë nga kërcënimi që vjen nga mazhoranca dhe pushteti.

“Ka ardhur momenti te ulemi, të diskutojmë, jo vetëm me partitë opozitare, por edhe me aktivistë, pedagogë, qytetarë që janë me drejtësinë, kundër korrupsionit. Secili prej nesh duhet të vendosi se me kë është: me drejtësinë apo të korruptuarit”- u shpreh Shehaj ndër të tjera.