Rama: Veliaj duhet të lirohet, s’ka varë njeri e nuk është kapur në flagrancë duke bërë krim

Kryeministri Edi Rama vijon të kërkojë lirimin nga qelia të kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi sipas tij, ky i fundit as nuk ka vrarë dhe as nuk është kapur në flagrancë duke kryer krim.

Në një takim me banorët e Njësisë nr.3, Rama tha se Tirana ka neojë për të zgjedhurin e saj dhe se qyteti nuk mund të komandohet me delegim, teksa shtoi se nuk ka arsye të besojë se Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin politikisht.

“Duhet të ishte kryetari Veliaj për të prezantuar buxhetin 2026, por ju e dini mirë situatën. Është për të ardhur keq, megjithatë ka shumë gjëra për të ardhur keq. Çfarë nuk thuhet në këtë vend.

Kur kryetari i bashkisë u mor nga zyra për t’u mbyllur në qeli pa gjyq, për herë të parë ngrita zërin për një proces të drejtësisë duke thënë se është disproporcionale për faktin se cilado qoftë arsyeja pse drejtësia heton kryetarin e bashkisë, janë të pamjaftueshme për sa kohë s’ka vrarë njeri dhe s’është kapur në flagrancë duke bërë krim, për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie të zgjedhur.

Pastaj në të gjithë shkallët ku kryetari kërkoi hetimin në gjendje të lirë e humbi, dhe kur u ezauruan të gjitha shkallët ishte gjëja më normale të mendohej për qytetin e njerëzit që kanë edhe ata një të drejtë shumë të madhe themelore, për t’u qeverisur nga të zgjedhurit e tyre. Për këtë ndërmorëm hapin tjetër, që të hapim rrugën e zgjedhjeve në bashki. Jo për të fajësuar kryetarin e bashkisë dhe as i lidhur me faktin se mungonte në detyrë se kishte arsye të vetat, por lidhur me faktin që kryetari në pamundësi për të kryer detyrën të mos kthehej në një problem gjithmonë e më të madh për qytetin.

Asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë apo delegim. Qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që t’a drejtojë atë. Pavarësisht përpjekjes që bëmë nuk ia dolëm sepse Kushtetuesja refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë.

Vendim që ne e respektojmë, madje s’kam asnjë arsye të besoj se GJK ka bërë politikë në këtë rast. Kam arsye të besoj se Gjykata ka menduar ndryshe, por mendimi ndryshe i gjykatës të çon në konkluzionin që kur kryetari i bashkisë shkon atje për të kërkuar për ta kthyer në zyrë, duhet ta kthejë në zyrë sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë se ai është i zgjedhur.

Atëherë ta kthejë në zyrë që të normalizohet një situatë që është çdo ditë e më e vështirë për kryeqytetin”, tha ai.