Kryeministri hungarez Viktor Orbán njoftoi sot se qeveria e tij do të padisë Bashkimin Evropian për vendimin e marrë muajin e kaluar për të ndalur gradualisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027.
Hungaria, aleatja më e afërt e Moskës brenda BE-së, varet ende rëndë nga energjia ruse dhe më herët ka përdorur veton për të siguruar përjashtime nga sanksionet e unionit. Vendimin e fundit e mbështetën të gjitha shtetet anëtare përveç Hungarisë dhe Sllovakisë.
Orbán e quajti vendimin “tërësisht të paligjshëm” dhe të kundërt me vlerat evropiane, duke thënë se Brukseli po përpiqet të “shkelë një qeveri kombëtare që nuk pajtohet me të”. Ai konfirmoi se Budapesti do t’i drejtohet Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.
Sipas Orbán, vendimi nuk përbën më sanksion, por masë tregtare, për të cilën mjafton shumica e votave, ndërsa sanksionet kërkojnë unanimitet.
Kryeministri hungarez shtoi se po kërkon edhe “masa të tjera jothelbësisht ligjore” kundër Brukselit, pa dhënë detaje.
Ai u ndal edhe te marrëveshja për përjashtimin njëvjeçar nga sanksionet amerikane, të cilën tha se e ka siguruar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump, duke pretenduar se ajo do të zgjasë “sa kohë Trump është president dhe Hungaria ka një qeveri kombëtare”.
Ndërkohë, Hungaria vazhdon përplasjet me BE-në, duke refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kievit në union, me argumentin se do ta tërhiqte vendin në konflikt.