Që Edi Rama dhe Albin Kurti të “bëjnë paqe” është dashur Forumi Strategjik i Bled që mbahet në Slloveni nesër. Në foton e shpërndarë nga kryeministri Rama, vihet re buzëqeshja e këtij të fundit, bashkë me atë të homologut të tij Kurti.
Së fundmi, klima mes tyre është ftohur pas tensioneve në veri të Kosovës për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe qëndrimet e ndryshme që dy liderët kanë patur për të.
Ftohja e marrëdhënieve mes Ramës e Kurtit, kulmoi me anulimin e mbledhjes së planifikuar të të dyja qeverive në Gjakovë në qershor të këtij viti. Kjo erdhi pasi lideri i Kosovës nuk pranoi të fliste për tensionet në veri të vendit, por vetëm të firmoste për 13 marrëveshjet e planifikuara mes vendeve, që aspironin një ekonomi, shëndetësi dhe programe të unifikuara të mësimdhënies.
Megjithatë, qasjet populiste të të dy homologëve, ua bëjnë më të thjeshtë aktrimin e herëpashershëm, kur e kërkon nevoja. Forumi Strategjik Bled, pritet të inkurajojë pjesëmarrësit, për të diskutuar rreth sfidave rajonale dhe globale.