Burg pa afat për të miturin që i mori jetën dy turistëve italianë

17-vjeçari Elio Rraku u la në burg pa afat nga gjykata pasi u gjet shkaktar për aksidentin fatal që u mori jetën dy turistëve, Gritto Domenico dhe Vicenzo Tizziano, tri ditë më parë. 

Elio Rraku nuk ishte i pajisur me patentë dhe ditën e aksidentit pasagjer ishte një 16 vjeçar. Ata ishin duke shkuar nga Saranda në Ksamil me automjetin tip “Mercedez Benz” ndërsa italianët po ktheheshin me motor nga Ksamili. 

Aksidenti tragjik u shënua në 03:00 të mëngjesit. Shkak për zhvillimin e seancës në ambientet e spitalit është fakti se i mituri ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve. 

Avokati i tij kërkoi një masë më të butë sigurie me argumentin se klienti i tij është i mitur dhe në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa prokurorja mbroi akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt duke kërkuar arrest në burg, gjë e cila u vendos edhe nga togat e zeza.