E fortë! SHBA-të pezullojnë dialogun strategjik me Kosovën

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit “që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, ka thënë ambasada amerikane.

Lajmin e bëjnë me dije mediat në Kosovë, ku kanë cituar postimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”- thuhet në postimin e ambasadës amerikanë në Kosovë.

“Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar. Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës”.