Berisha: Zgjedhjet nuk i njohim, por në Parlament do futemi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ripërsëritur edhe njëherë se nuk i njohin zgjedhjet e 11 Majit, ku fitoi PS, por megjithatë do të futen në Parlament, punimet e të cilit do të nisin të premten, një ditë pasi Rama do të shpallë qeverinë e re.

Berisha i bëri thirrje Kryesisë së PD që të mos njohin zgjedhjet, pasi sipas tij do e bënte forcën politike që ai drejton bashkëfajtore të farsës më të shëmtuar.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë, kryedemokrati tha sipas tij nuk është mirë mos të futen në Kuvend dhe mos të luftojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Ftoj Kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e këtyre zgjedhjeve do bënte PD bashkëautore në një farsë më e shëmtuara në 32 vite. Duke kërkuar këtë nga kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë të mos marrim pjesë në parlament. Ja u them ju personalisht: Unë mendoj se në këtë diktaturë ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj. Dhe në qoftë se ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturën që ka uzurpuar pushtetin? Cili do jetë qëndrimi ynë i ri? Asnjëri s’kemi bërë sa kemi mundur. Tani kërkohet ribrendim, kërkohet një ndryshim, ndaj para këtij mali të farsës elektorale beteja jonë kërkon energji të reja, forca të reja, forma të reja. Nuk është një variant”- u tha Berisha anëtarëve të Kryesisë.