Policia nis hetimet për skemën mashtruese TXEX, apel qytetarëve: Bëni kujdes

Policia e Shtetit njofton se ka nisur zyrtarisht hetimet në lidhje me skemën mashtruese online TXEX, që dyshohet se u ka zhvatur qytetarëve shqiptarë rreth 5 milionë dollarë deri tani.

Ndërkohë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.

Më herët pati një reagim edhe nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ku nënvizonte se aktiviteti i TXEX mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.

Përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme, XUEXA dhe Grokrexduu, të cilat synojnë zhavtjen e qytetarëve shqiptarë.

Policia e Shtetit

Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë intensivisht veprimet hetimore dhe operacionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive që zhvillohen online, për të përfituar para nga qytetarët.

Në këtë kuadër, ju informojmë se Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e siguruara, ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.

Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP.