Zgjidhen tre nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës nga partitë shqiptare

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala janë zgjedhur nënkryetarë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë Emilia Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga pakicat joserbe. Për të votuan pro 71 deputetë, një kundër dhe 23 kanë abstenuar. Rexhepi do ta mbajë këtë pozitë me rotacion me Fidan Jilltan dhe Artan Asllanin.

Kujtojmë se deputetët e Kosovës zgjodhën sot më 26 gusht me shumicë votash, Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. Dimal Basha, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori 73 vota pro, 30 deputetë votuan kundër ndërsa tre abstenuan.

Dimal Basha ishte kandidati i pestë i propozuar nga radhët e Vetëvendosjes, pas Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Hekuran Murati e Arbërie Nagavci.

Zgjedhja e Bashës si kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse të tjera janë të pakicave.