Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Kurti reagon ashpër ndaj LDK, AAK dhe PDK: Lanë nam në sytë e botës

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ashpër pasi dështoi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi LDK, AAK dhe PDK votuan kundër raportit për verifikimin e mandateve.

Në një postim në rrjete sociale, Kurti e konsideron si një sulm institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Mes të tjerash, Albin Kurti thotë se LDK, AAK dhe PDK lanë nam në sytë e botës ndërsa vërtetuan që jo janë vetëm kundër qeverisë, por edhe vetes së tyre.

Reagimi i Kurtit:

Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot.