Një aksident tragjik ka ndodhur në Itali ku një 46 vjeçare shqiptare ka humbur jetën ndërsa vajza e saj është në gjendje kritike për jetën. Aksidenti u regjistrua dje rreth orës 14:00 mes Inzago dhe Pozzuolo Martesana, Milano ku Dorina Bardhi ishte duke udhëtuar bashkë me vajzën e saj, vetëm 9 vjeçe kur u përplas me një kamion.
Përplasja ishte fatale për 46 vjeçaren ndërsa vajza e saj e mitur u dërgua me helikopter në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas hetimeve paraprake, automjeti i drejtuar nga Dorina Bardhi kishte kaluar një mbikalim pas daljes nga rruga dytësore dhe kishte hyrë në rrugën kryesore që të çon drejt Cassano d’Adda. Pikërisht në këtë segment, për arsye ende të paqarta, makina ka humbur kontrollin dhe është përplasur ballë për ballë me një kamion që vinte nga ana tjetër.
Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke e shkatërruar plotësisht makinën, e cila përfundoi jashtë rruge.
Pas aksidentit, shoferi i kamionit u mor në pyetje ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Viktima jetonte prej vitesh me tre vajzat dhe bashkëshortin në Albignano.