“Dëgjova disa zhurma dhe hyra në dhomën e Markut”. Kështu ka deklaruar para hetuesve Nors Manlapaz, nëna e Mark Samson, i cili akuzohet për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula, ngjarje që ka tronditur Italinë dhe më gjerë.
Fillimisht Manlapaz pretendoi se nuk kishte dëgjuar asgjë, pasi ishte në gjumë në momentin e krimit. Por pas katër orësh marrje në pyetje, ajo ndryshoi dëshminë. Nën presionin e provave, ajo pranoi se kishte ndihmuar të birin në pastrimin e vendit të krimit.
“Unë e ndihmova djalin tim të pastronte njollat e gjakut në shtëpi”, tha ajo.
Vrasja e studentes shqiptare u krye në banesën e Mark Samson në Via Homs, Romë. Shqiptarja Ilaria Sula, u godit me thikë në fyt për vdekje. Trupi i saj u zhduk për disa ditë, derisa u gjet i braktisur brenda një valixheje në një zonë shkëmbore rreth 40 kilometra larg kryeqytetit italian.
Pikërisht këtu përfshihet edhe roli i nënës. Sipas dyshimeve të prokurorisë, ajo nuk ka ndihmuar vetëm në pastrimin e gjurmëve të gjakut brenda apartamentit, por mund të ketë bashkëpunuar edhe në fshehjen e trupit. Hetuesit po analizojnë mundësinë që ajo ta ketë ndihmuar djalin në mbështjelljen e trupit me një qese të zezë dhe transportimin e tij në valixhe, në vendin ku u gjet.