Bashkëpunimi tripalësh në mbrojtje/ Kroacia i përgjigjet Beogradit: Iku koha kur pyesnim Serbinë

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç, i përgjigjet reagimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila njoftoi  se “nuk do të pranojë në heshtje” nënshkrimin e deklaratës që forcon bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Beogradi e cilësoi si provokim të hapur deklaratën e nënshkruar nga të tre vendet, të martën në Tiranë.

“Ka ikur koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë do të bënte dhe si do të funksiononte. Ajo kohe ka mbetur shumë prapa dhe nuk do të vije më kurrë. Kroacia është shtet i pavarur dhe sovran për 35 vjet, pasi ka kaluar pesë vite agresion pikërisht nga ajo politikë e Beogradit që komunikon atë që komunikon”, tha ministri kroat.

Kroacia, sipas tij, do të nënshkruajë memorandume me partnerët dhe aleatët e saj.

“Shqipëria është aleati ynë në NATO, kurse Kosova është vendi ynë mik të cilin ne e kemi njohur. Disa vende të tjera do t’i bashkohen memorandumit. Asnjë letër në atë dokument nuk përmend Serbinë, ndonjë agresion apo ndonjë aktivitet që do të rrezikojë këdo, përfshirë Serbinë”, shtoi më tej Anushiç.

Kroacia, thekson ministri, dëshiron të bashkëpunojë me vendet e tjera dhe të shkëmbejë njohuri me to.