Si qeveria po shkel ligjin për Olta Xhaçkën! SPAK i konfiskoi pronën, Rama nuk ia heq Artan Gaçit statusin e investitorit strategjik

Edi Rama ka vendosur ta mbrojë Olta Xhaçkën deri në fund, ndryshe nga çfarë ka bërë me Saimir Tahirin, Arben Ahmetajn apo Vangjush Dakon, tre nga njerëzit e tij më të besuar.

Edhe pse bashkëshorti i saj është i përfshirë në dosjen e tjetërsimit të pronave në Himarë, ku u shpall investitor strategjik me vendim të qeverisë pjesë e të cilës ishte vetë ajo, Olta Xhaçka do të jetë sërish në listën e kandidatëve për deputetë, duke shpresuar të sigurojë sërish imunitetin e deputetit.

Ndërkohë, për tokën e tjetërsuar që u përfitua nga Artan Gaçi, Gjykata e Posaçme dënoi me 3 vite e 1 muaj burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goron, teksa konfiskoi edhe sipërfaqen prej 10 mijë metër katror mbi të cilën Artan Gaçi do ndërtonte resortin “Dreamades Luxury Suites”.

Por, në vendimin e qeverisë për t’i dhënë Artan Gaçit statusin e investimit strategjik, në pikën 10 thuhet:

“Në rast se përgjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit investues strategjik “Dreamades 4 Luxury Suites” konstatohen të dhëna të pavërteta, të rreme apo ndryshime të të dhënave të dala rishtazi, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për miratimin e statusit strategjik të këtij projekti me procedurën e veçantë, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë të revokojë vendimin për dhënien e statusit strategjik”.

Pra, qeveria duhet t’ia heqë menjëherë statusin e investitorit strategjik Artan Gaçit, por edhe pse kanë kaluar ditë nga vendimi, Këshilli i Ministrave nuk ka marrë asnjë vendim.

Toka e sekuestruar i ka kaluar Bashkisë së Himarës, ndërsa objektet e ndërtuara në atë tokë janë ende në pronësinë e Artan Gaçit. Nuk dihet nëse ato do të prishen, apo Olta Xhaçka do të përdorë ndonjë metodë tjetër që ta marrë sërish atë tokë dhe të vijojë investimin strategjik, përpara se t’i vijë ndonjë nga mali dhe t’i ngulë çadrën në plazh, siç është shprehur edhe vetë.

Edhe njëherë tjetër Rama ka marrë në mbrojtje Olta Xhaçkën, pasi kundërshtoi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mandatin e saj, duke keqpërdorur edhe opinionin e Komisionit të Venecias.

Me sa duket, Rama i frikësohet arrestimeve të tjera në ekipin e tij, pasi në 12 vite ka parë miqtë e tij të rreshtohen në qelitë e burgjeve, të kapur nga SPAK për korrupsion e pastrim parash.