Është ndarë nga jeta babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Haxhi Thaçi, u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme pas një sëmundje të rëndë ndërsa pak ditë më parë u vizitua edhe nga djali i tij, Hashim Thaçi.
Më 13 mars, Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për të vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Vizita zgjati rreth tre orë dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Pas vizitës, Hashim Thaçi u kthye në paraburgim në Hagë.
Pas përfundimit të vizitës, Hashim Thaçi u nis drejt Hagës, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Ndërkohë djali i ish-presidentit të Kosovës, shkruan se gjyshi i tij iku nga kjo botë pas takimit të fundit me Hashim Thaçin.
“Baci i mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin. Ke qenë gjithmonë frymëzim për mua dhe familjen. Vuajtjet nga padrejtësia e bënë të papërballueshme. Prehu në paqe.”, ka shkruar Endrit Thaçi.