Dhuna barbare e ushtruar dje nga 10 anëtarë të fisit Rraja ndaj 2 personave të pambrojtur nuk është asgjë tjetër veçse akti i radhës terrorizues i atyre njerëzve në video ndaj qytetarëve të Krujës dhe jo vetëm.
Në videon që u përhap shpejt në rrjet, shihej si disa persona të pamëshirshëm godisnin me mjete të forta njerëz të mbuluar në gjak dhe të shtrirë, pa patur asnjë mundësi mbrojtjeje. Madje videon e filmuan vetë ata, si për të treguar se nuk kanë frikë jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe nga Policia e Shtetit, pasi këta të fundit janë gjithmonë në shërbim të tyre.
Kështu ndodhi edhe dje, me efektivët që mbërritën në vendngjarje 2 orë pas denoncimit nga njëri prej të dhunuarve, pasi u siguruan se dhunuesit u shpërndanë. Dje u mjaftuan vetëm me shoqërimin e disa prej tyre dhe më pas i liruan, teksa në njoftimin për mediat u siguruan të tregonin se gurorja e Rrajave ishte me dokumente tërregullta dhe me leje, ndërsa sot, u detyruan nga furia e përhapjes dhe reagimit publik që të arrestonin 4 persona, por jo vëllezërit e deputetit Rrahman Rraja, të cilët në video shfaqen me armë tip pistoletë.
Por për sa kohë do të vijojë kjo mbështetje e shtetit ndaj këtij fisi problematik?
Kjo ngjarje nuk ishte e para për Rraja-t, të cilët janë përfshirë në shumë ngjarje të tjera kriminale. Fillimisht ishte Redian Rraja, i akuzuar nga Prokuroria për fshehjen e provave të vrasjes së Elton Çiços, i cili u qëllua për vdekje me dy plumba më 1 Maj të 2016-ës, rreth orës 22:20. Ai u dënua vetëm me 8 muaj burg, pavarësisht se akuzohej për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Më pas fisi Rraja do të bëhej i famshëm në rastin e Xhisela Malokut, e cila akuzoi Rexhep Rrajën, djalin e deputetit Rrahman Rraja se e kishte dhunuar. Por pavarësisht provave që kishte, ajo u tërhoq shpejt, teksa shkaku nuk u zbulua kurrë. Rexhep Rraja u lirua vetëm pas disa javëve, edhe se Prokuroria ksihte kërkuar 1 vit burg. me akuzën e dhunës dhe përndjekjes ndaj një vajze të re në Fushë-Krujë, gjyqtarja e ka dënoi me vetëm 1 vit shërbim prove.
Ramazan Rraja do të ishte personazhi tjetër që do të përmendje gjatë në media, pasi në një video që qarkulloi, ai shihej duke dhunuar një grua në mes të Tiranës, teksa pranë kishte edhe një efektive policie, e cila nuk ndërhyu fare.
Bëmat e fisit Rraja kulmuan me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku u përfshi Redjan Rraja, i arrestuar nga policia, pasi u identifikua nga gjurmët e ADN-së të mbetura në makinën e dyshuar të autorëve që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, ditën kur ndodhi atentati në mbikalimin e Shkozetit. Ai tentoi të largohej përmes Hanit të Hotit, por u ndalua në kohë nga autoritetet. Nga atentati, mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja.
Kuhdo mund të pyesë se përse shteti i mbron këta persona të rrezikshëm për shoqërinë. Përgjigja është fare e thjeshtë: VOTAT. Partia Socialiste ka interes te Rrahman Rraja mbledhjen e votave në Krujë, pasi deputeti ka pas vetes një pjesë të madhe të qytetarëve, ku disa i paguan dhe të tjerë i shantazhon.
Por a ia vlen të sakrifikohen jetë njerëzish për një mandat deputeti? Përgjigjen e ka vetëm Partia Socialiste dhe Policia e Shtetit, që nëse do të vazhdojnë të bëjnë sehir ndaj personave të tillë, do ta kthejnë Krujën në një zonë lufte, pasi askush nuk e fal gjakun.