Si do të jetë Evropa e të nesërmes?

Nga Lionel Shriver “The Spectator”

Këtë vit, mediat kryesore kanë lëshuar alarmin se shkalla globale e lindshmërisë, do të bjerë shumë shpejt nën pragun e nevojshëm për të mbajtur konstant numrin e popullsisë. Ankthi se specia jonë mund të zhduket një ditë, më duket disi i parakohshëm, duke pasur parasysh se parashikohet që të shtohemi edhe me 3 miliardë të tjerë, përpara se të nisim të zvogëlohemi.

Për më tepër, raporte tilla fshehin gjithnjë një element të jashtëzakonshëm, që e zbeh frikën për zhdukjen tonë të afërt:Afrika. Një nga arsyet kryesore pse Evropa po zhvendoset djathtas është shqetësimi popullor mbi migracionin masiv. Ndaj unë po u them evropianëve dhe përfaqësuesve të tyre dritëshkurtër:nuk keni parë asgjë akoma.

Në vitin 1950, kishte 200 milionë afrikanë, pak më shumë se 1/3 e numrit të evropianëve (550 milionë). Aktualisht me rreth 1.5 miliardë, popullsia e Afrikës duhet të arrijë në 2.5 miliardë deri në vitin 2050, dhe thuajse 4 miliardë deri në vitin 2100, kur afrikanët do të përbëjnë rreth 40 për qind të njerëzve në botë, duke i tejkaluar evropianët në raportin 6 me 1.

Dhe ky është vlerësimi “mesatar” i popullsisë nga OKB-së, i cili supozon se niveli i lindjeve në Afrikë do të bjerë pak më poshtë se norma e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua. Por “vlerësimi më i lartë” parashikon që norma totale e lindshmërisë së Afrikës (TFR) të qëndrojë mbi 2.5, dhe popullsia e saj të arrijë në 5.4 miliardë në vitin 2100.

Dhe deri atëherë, rreth 43 për qind e të rinjve nën 18 vjeç në botë, do të jenë afrikanë. Vrulli demografik, ka të ngjarë të sigurojë që popullsia e këtij kontinenti të vazhdojë të rritet në shekullin e ardhshëm. Gjatë pjellorisë historike të shekullit XIX-të që e lehtësoi procesin e kolonializmin, u dyfishua popullsia evropiane.

Në të njëjtën periudhë, 1950-2050, afrikanët do të jenë 10-fishuar. Tetë vende afrikane do të jenë rritur me 15 herë. Ndërsa Nigeria ku gratë lindin ende mesatarisht 6.7 fëmijë dhe popullsia është 2-fishuar në 20 vitet e fundit, do të rritet me 25 herë. Ekspertët e konsiderojnë të pashmangshme rënien e lindshmërinë me zhvillimin e vendeve të varfra.

Por vitin e kaluar, TFR e Afrikës ishte 4.2, ndërsa ajo e Afrikës Sub-Sahariane 4.6. Kjo shkallë e lindshmërisë gati nuk ka ndryshuar për 70 vitet e fundit. Nigeria, popullsia e së cilës pritet të rritet nga 225 milionë tani, në rreth 375 milionë deri në vitin 2050, duke garuar me SHBA-në për t’u bërë vendi i tretë më i populluar në botë.

Nigeria ka ende një TFR prej 5.1. Njëzet vjet më parë, TFR e saj ishte 6.0, ndaj rënia e madhësisë së familjes ka qenë e ngadaltë. Megjithatë gjysma e vendit jeton në varfëri ekstreme, një nga normat më të larta në kontinent. A vijnë nivelet e larta të lindjeve për shkak të ofrimit të pamjaftueshëm të mjeteve të kontracepsionit?

Me siguri që jo. Për shembull, në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, në vitin 2015 gratë lindnin mesatarisht 5.5 fëmijë. Por në fakt ata do të donin të kishin 6. Shumica e afrikanëve nuk kanë rastësisht familje të mëdha. Ata i duan familjet ato. Rreth 42 për qind e Afrikës Sub-Sahariane është nën moshën 15 vjeç.

E njëjta gjë është e vërtetë për 16 për qind të evropianëve:numri i të rinjve tanë, është për momentin më i madh se i të moshuarve. Popullsia e fëmijëve në Afrikë, po rritet më shpejt sesa aftësia për t’i mësuar ata (mësimdhënia me një cilësi të ulët është një problem i madh që po përkeqësohet, thotë Banka Botërore).

Pasuria e Etiopisë mund të jetë 2-fishuar në 10 vitet e fundit (nga një bazë shumë e ulët), por gati gjysma e popullsisë së saj mbetet analfabete, dhe 40 për qind e fëmijëve të saj ende nuk e përfundojnë as arsimin fillor. Nga ana tjetër, ky kontinent nuk mund të përballojë dot kërkesat për vende të reja pune.

Gjatë viteve 2014-2018, gati 20 milionë të rinj nigerianë kërkuan t’i bashkoheshin fuqisë punëtore, por u krijuan vetëm 3.5 milionë vende të reja pune. Afrika ka pjesëmarrjen më të ulët të fuqisë punëtore nga çdo rajon në botë. Dhe nuk ka lidhje ndryshimi i klimës;Afrika ka qenë gjithmonë e prirur ndaj thatësirës dhe mungesës kronike të ujërave të ëmbla.

Pavarësisht profecive të përsëritura për një rilindje afrikane që nuk po realizohet kurrë, kontinenti vuan nga qeverisja e dobët, konfliktet e vazhdueshme etnike dhe korrupsioni endemik. Në Afrikën e Mesme, treçereku i popullsisë përballet me një pasiguri ushqimore të moderuar deri në forma të rënda.

Po të ishit ju në vend të tyre, a nuk do të mendonit të iknit diku tjetër? Ky ndryshim demografik i madh, është zhvillimi më i rëndësishëm i këtij shekulli. Megjithatë për të po flitet shumë pak. Pikërisht në pragun e Evropës, është një popullsi me rritje të shpejtë dhe me të rinj të paarsimuar, të papunë, pra me perspektiva shumë të këqija.

Sa më shumë që këta njerëz të dëshpëruar të arrijnë në Perëndimin e begatë, aq më shumë miq dhe të afërm do të nxiten të provojnë të njëjtën gjë. Ata të gjithë kanë telefona inteligjentë, foto të makinave të shpejta dhe modele magjepsëse nga reklamat që mbërrijnë deri në fshatrat plot pluhur dhe lagjet e varfra urbane.

“E çfarë ka për ne këtu? Ne të gjithë kemi migrimin në mendje”- tha për New York Times javën e kaluar një i ri senegalez, që po përpiqet të bindë prindërit e tij ta lejojnë të ikë në Evropë. Pra situata pritet të bëhet shumë e nderë. Eurokratët mund t’u japin leksione qytetarëve të tyre mbi mrekullitë e multi-kulturalizmit.

Por një kontinent i pushtuar nga qindra milionë, në mos miliarda emigrantë, nga kultura rrënjësisht të ndryshme nga ne, nuk do të jetë aspak i lumtur. Konkurrenca do ta bëjë situatën të prekshme dhe të ngarkuar politikisht. Sistemet e mirëqenies sociale mund të futen në kolaps, pasi kombësitë në fjalë priren të nxisin firo të mëdha ekonomike.

Është e vërtete:Perëndimi ka mungesë të fuqisë punëtore, por me përshpejtimin e automatizimit dhe Inteligjencës Artificiale, punëtorët që do të na duhen më shumë duhet të jenë shumë të aftë. Askush nuk po përgatitet për një skenar të tillë.

Po të ishte për mua do ta anuloja sistemin e azilit si relike e një epoke të mëparshme, kur nuk kishte një transport të lirë ndërkombëtar, komunikim të menjëhershëm dhe përfitime shumë bujare të mirëqenies sociale, dhe e konceptuar për një kohë kur popullsia globale ishte sa çereku i popullsisë së sotme.

Po ashtu, do të anuloja Konventën për Refugjatët, KEDNJ-në dhe çdo traktat apo ligj tjetër

që pengon kontrollin e fortë të kufijve kombëtarë. Gjithashtu, do të pengoja financimin e qeverisë për ndërhyrjen e ojqv-ve pro-emigracionit. Alternativa është pranimi që Evropa siç e njohim aktualisht, kulturalisht dhe ekonomikisht, të marrë fund njëherë e mirë.

Në fund, po përpiqem të shmang parashikimet, por kjo që po them është e sigurt:në mungesë të një kryengritjeje elektorale populiste, autoritetet evropiane do të merren seriozisht me kontrollin e kufijve vetëm kur të jetë tepër vonë. Dhe a e dini se çfarë do të thonë në komentet në internet, apo jo?:”Tashmë është shumë vonë”.