Panik në ajër, avioni i nisur nga Londra goditet nga turbulencat, 1 i vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Një pasagjer ka humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur në një fluturim të Singapore Airlines nga Londra në Singapor, për shkak se u godit nga turbulenca të forta, raporton BBC.

Avioni “Boeing 777-300ER” me destinacion Singapor devijoi në Bangkok dhe bëri ulje për shkak të turbulencave të mëdha. Avioni kishte 211 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit, tha linja ajrore në një deklaratë.

“Singapore Airlines i ofron ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit”, thuhet në njoftim.

Linja ajrore shtoi se po punonte me autoritetet tajlandeze për të ofruar ndihmë mjekësore për pasagjerët dhe po dërgonte një ekip në Bangkok për të ofruar çdo ndihmë shtesë të nevojshme.

Autoritetet tajlandeze kanë dërguar ambulanca dhe ekipe emergjente në aeroportin Suvarnabhumi.

Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur saktësisht në bordin e fluturimit.