Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e Ilir Metës për pezullimin e afateve të paraburgimit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Ilir Metës, i cili kundërshtonte pezullimin e afateve të paraburgimit. Vendimi lë në fuqi qëndrimin e mëparshëm të gjykatës, ndërsa pritet publikimi i arsyetimit të plotë.

Në ankimin e tij, kreu i Partisë së Lirisë ka argumentuar se nuk duhet të penalizohet për shtyrjet e seancave gjyqësore, pasi, sipas tij, ka qenë i pranishëm në çdo seancë dhe nuk ka shkaktuar vonesa në proces.

Meta ka pretenduar se shtyrjet kanë ardhur si pasojë e bojkotit të Dhomës së Avokatisë dhe jo për shkak të veprimeve të tij. Ai ka theksuar gjithashtu se u ka bërë të ditur gjykatave se ishte i gatshëm të merrte përsipër vetë mbrojtjen, në mënyrë që procesi të mos zvarritej. Megjithatë, Apeli i Posaçëm nuk e ka pranuar kundërshtimin e tij.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe po përballet me një proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, akuza të cilat i ka mohuar vazhdimisht.

Kjo nuk është hera e parë që kërkesat e ish-presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë nuk pranohen nga gjykata, duke mbetur në fuqi masa e arrestit në burg.