E rëndë në Kavajë, zjarrfikësi i dehur merr thikën dhe kërcënon dy kolegët e tij

Një sherr ka ndodhur në ambientet e Zjarrfikëses në qytetin e Kavajës. Raportohet se një punonjës ka kanosur me thikë dy kolegët e tij, pas një konflikti që ka nisur mes tyre ndërsa nuk dihen motivet e sherrit.

Dyshohet se zjarrfikësi që ka kërcënuar me thikë  kolegët e tij ka qenë në gjendje të  dehur.

Për rastin ka reagiuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila thote së ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës materialet procedurale në ngarkim të punonjësit të MZSH-Kavajë, T. R., 52 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje”. Ndërkohë zjarrfikësit e përfshirë në konflikt janë pezulluar nga detyra.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës) ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës materialet procedurale në ngarkim të punonjësit të MZSH-Kavajë, T. R., 52 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dhe deklarimeve të marra, rezulton se shtetasi T. R. ka kanosur me thikë pas një konflikti të çastit, dy kolegët e tij, të cilët ndodheshin në krye të detyrës”, thuhet në njoftim.