EMRAT/ Kush janë 3 të arrestuarit me urdhër të SPAK, pjesë e grupit të Gëzim Çelës, u “tradhëtuan” nga bisedat e ish policit

Janë zbardhur emrat e tre të arrestuarve në kuadër të operacionit “Flakë në det”, si pjesë e grupit të baronit të drogës Gëzim Çela, i arrestuar para pak kohësh.

Të arrestuarit janë Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj, emrat e të cilëve kanë dalë nga bisedat e ish policit Arlind Ismailuka. Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar me Arben Dalipajn, i cili është i shpallur në kërkim.

Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe biznese.

Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të lejë në burg baronin e drogës, Gëzim Çela, pas ekstradimit nga Kosova.

Ai u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi të vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.