Çudit Erion Veliaj: Drejtorët e mi nuk u arrestuan, shkuan vetë në polici

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka çuditur me deklaratat e tij që bëri sot nga Farka, në një takim me administratorët e Njësive Administrative të Tiranës.

Duke u ndaluar te arrestimet e disa prej drejtorëve të rëndësishëm të bashkisë për korrupsion dhe fshehje pasurie, Veliaj tha se ata nuk u arrestuan por se shkuan vetë në polici.

Ndërkohë ai hodhi akuza edhe ndaj opozitës, që protestoi sot para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

“Ish-kolegët tanë sapo morën vesh lajmin, shkuan vetë në polici. Ne prokurorëve u themi çfarë nevoje ke, s’jemi vonuar një orë, jo një ditë por një orë për çdo dokument. Se ishte shumë kollaj të mos japësh dokumenta, të mos tregohesh bashkëpunues. Super bashkëpunim, kolegët tanë thonë, ku është te cili komisariat duhet të paraqiten që t’i shpjegojë përpara drejtësisë. Ata shkojnë vet, nuk fshihen si skutha dhe nuk marrin gjithë partinë që ti mbrojnë. Ndaj duhet që të gjithë ta mbajmë kokën lartë”- tha mes të tjerash Veliaj.

Rikujtojmë se pak ditë më parë me urdhër të SPAK u arrestuan dy drejtorët e bashkisë Tiranë Redi Molla dhe Mariglen Qato, që ishin pronarë “de facto” të kompanisë “5D”.

Kjo e fundit ka përfituar më shumë se 6 miliardë lekë të vjetra tendera nga Bashkia e Tiranës, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Tirana Parking dhe Klubi Sportiv “Tirana”.

Sipas SPAK-ut, për 4 vite që Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” ka shpallur fituese tenderash kompaninë që ai dhe drejtori tjetër Mariglen Qato, kishin themeluar vetë.