Konstituohet nesër komisioni hetimor për TIMS-in, pritet përcaktimi i detyrave dhe zgjedhja e ekspertëve ligjorë

Ditën e nesërme pritet që të ngrihet komisioni i dytë hetimor, i kërkuar nga opozita.

Pas komisionit për koncesionet në shëndetësi, nesër do të konstituohet edhe komisioni që ka të bëjë me rrjedhjen e informacionit dhe të dhënave të tjera sensitive të sistemit TIMS.

Ashtu siç është mësuar ditë më parë, komisioni hetimor për sistemin TIMS do të drejtohet nga deputeti demokrat Ervin Salianji, teksa nënkryetar nga radhët e mazhorancës është caktuar Toni Gogu.

Sipas rendit të ditës, të martën pritet të konstituohet komisioni hetimor,  të bëhet prezantimi i anëtarëve të tij dhe të përcaktohen detyrat.

Rikujtojmë se dakordësia midis mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e këtyre dy komisioneve, solli edhe normalitetin në Kuvend që mungonte që prej muajit tetor të vitit të kaluar.

Po nesër, zhvillohet edhe mbledhja e dytë e komisionit hetimor në Shëndetësi, për dy koncesionet e sterilizimit dhe check up. 

Rendi i ditës

1. Deklarimi i konstituimit të komisionit hetimor dhe prezantimi i anëtarëve të tij.
2. Deklarimi i qëllimit të ngritjes së komisionit.
3. Përcaktimi i detyrave të komisionit.
4. Zgjedhja e sekretarit të komisionit.
5. Deklarimi i planit paraprak të hetimit.
6. Zgjedhja e ekspertëve ligjorë.
7. Përcaktimi i mbledhjes së radhës së komisionit hetimor.

Anëtarët e komisionit hetimor për rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS
1-Ervin Salianji – kryetar
2-Toni Gogu-Nënkryetar PS
3-Nasip Naço – Anëtar PS
4-Blerina Gjylameti – Anëtar PS
5-Etilda Gjonaj – Anëtar PS
6- Xhemal Qefalia – Anëtar PS
7- Antoneta Dhima – Anëtar PS
8- Bardhyl Kollçaku – Anëtar PS
9- Denis Deliu – Anëtar PS
10- Lindita Metaliaj – Anëtar PD
11- Lefter Gështenja – Anëtar PD
12- Asllan Dogjani – Anëtar PD
13- Ramadan Lika – Anëtar PD
14- Luan Baci – Anëtar PD
15- Elda Hoti – Anëtar PD