Çështja Balluku, eurodeputetja ngre shqetësimin për imunitetin: SPAK-un e besojnë shqiptarët, reforma në drejtësi e pakthyeshme

Në takimin e sotëm në Tiranë të takimit të 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, eurodeputetja Isabel Wiseler Lim, ka ngritur si shqetësimin çështjen e imunitetit.

Ajo vlerësoi punën e SPAK, si një nga institucionet që ka besimin e shqiptarëve dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi.

Ndërkohë ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe nëse reforma në drejtësi do të vijojë të jetë e pakthyeshme.

“Kur isha në maj këtu si vëzhguese e zgjedhjeve, ju ishit në fushatë, e tani ju shoh këtu si kolegë dhe mund të flasim si parlamentarë me njëri-tjetrin.

SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët.

Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo.

Ndërkohë ajo u ndal edhe te protestat kundër qeverisë, duke thënë se qytetarët prej disa muaj po dërgojnë një sinjal të qartë, se ata duhet të dëgjohen.

“Roli i parlamentit nuk është gjithmonë që të pranojë dhe aprovojë ligjet por të dëgjojë edhe zërat e qytetarëve dhe qytetarët gjatë muajve të fundit po dërgojnë një sinjal të qartë dhe duhet të dëgjohen ata.

në parlament është e rëndësishme që të dëgjohet zëri i tyre, të debatohet ai”- u shpreh eurodeputetja.