Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith i ka bërë thirrje qeverisë se duhet të ndërmarrë hapa të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit.
Teksa mori pjesë në konferencën dy ditore me temë “Forcimi i Llogaridhënies: Fuqizimi i Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, ai tha se Shqipëria duhet ta pranojë se korrupsioni vazhdon të depërtojë në sektorët publikë dhe privatë në shoqëri dhe se duhen ndërmarrë hapa më të mëdhenj për ta luftuar.
Ndërkohë në fjalën e tij ai u shpreh se korrupsioni në vendin tonë po shqetëson ndërkombëtarët. Po ashtu Alastair King-Smith thekson se lufta ndaj korrupsionit është thelbësore për zhvillimin e vendit.
“Shqipëria duhet ta pranojë se korrupsioni vazhdon të depërtojë sektorët publikë dhe privatë në shoqëri dhe të ndërmarrë hapa më të mëdha për t’iu kundërvënë. Jo sepse partnerët ndërkombëtare, si ne janë të shqetësuar, por sepse kjo është thelbësore për vetë zhvillimin e Shqipërisë.
Dhe ne duhet të garantojmë, ndërkohë që reforma në drejtësi vazhdon, të jenë vetë institucionet të inkurajuar si aktorë të pavarur, të formësojnë fazën tjetër. Angazhimi, krahas këtyre institucioneve në reformën e mëtejshme duhet të konsiderohet me shumë kujdes ose mund të rrezikojë të dëmtojë përparimin që është bërë. I inkurajoj institucionet të paraqesin propozimet për fushat që ata kërkojnë më shumë mbështetje ose ku shohin se ndryshimet mund të zgjerojnë, jo kufizojnë shtetin e së drejtës”, tha Alastair King-Smith.