Një bandë grabitësish që drejtohej nga një shqiptar është shkatërruar në Spanjë ndërsa u arrestuan 6 persona.
Mes të arrestuarve ishte edhe drejtuesi i grupit, një shtetas shqiptar “i trajnuar si ushtarak”, i cili merrte pjesë aktive në çdo grabitje dhe mbante gjithmonë një armë zjarri në brez, siç u raportua në një konferencë për shtyp nga Policia Kombëtare.
Sipas mediave spanjolle banda kishte kryer 71 grabitje në zonën e Costa del Sol. Synimi i tyre ishin grabitjet në shtëpitë dhe vilat luksoze.
Gjatë operacionit, agjentët e policisë spanjolle sekuestruan 169 bizhuteri, ora, çanta dhe sende të tjera të markave të njohura, përveç elementeve që përdornin në grabitje. Po ashtu janë sekuestruar rreth 9 mijë euro, një pistoletë, një armë gjahu, pajisje transmetimi, veshje të tilla si çizme, kapuç dhe doreza, një hanxhar të madh dhe sende të tjera.
Zonat e tyre të preferuara ishin shtëpitë dhe objektet pranë fushave të golfit, veçanërisht në zonat e Artola dhe Río Real.