Opozita e bllokoi, Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvendoset online, mbledhje në 12:00

Pasi dështoi sot për herë të dytë mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore do të mblidhet sërish, por këtë herë online. Mbledhja e komisionit mësohet se do të mbahet po sot, në orën 12:00. Po ashtu, bëhet me dije se Damian Gjiknuri, do të mbajë një deklaratë për mediat nga salla e konferencave në Kryesia e Kuvendit, në orën 12.30.

Vendimi për ta bërë online erdhi pas tensioneve në të dyja seancat, pasi Rithemelimi nuk dëshiron Enkelejd Alibeaj si bashkëkryetar dhe kërkon më shumë përfaqësues, me në krye Oerd Bylykbashin. Por Lulzim Basha ka refuzuar që të dakordësohet në këtë pikë me palën tjetër të opozitës.

Kështu sot deputetët e Rithemelimit bllokuan vendet dhe ndezën zhurmuesit, duke pamundësuar zhvillimin normal të takimit në Kryesinë e Kuvendit.

Socialistët kanë deklaruar se do ta bëjnë Reformën Zgjedhore në të gjitha mënyrat dhe duket se mbledhja online është prova për këtë.