Pas dështimit të trafikut të drogës në Brazil, Erzen Breçani paralajmëroi të birin për përgjimet në “SkyECC”

Në përgjimet e zbardhura në platformën “SkyECC”, mes grupit të Eralb Breçanit, djalit të Erzen Breçanit, flitet për trafikun e 69 kg kokaine nga Brazili drejt Spanjës. Gjatë bisedës, Eralb Breçani i informon anëtarët e grupit se ka marrë informacione nga i ati, mbi një përgjim të mundshëm të “SkyECC”. Ai vazhdon duke thënë me shaka se shpreson të jenë bashkë në një sektor kur të kapen dhe të bëjnë muhabet.

Droga që do të transportohej nga Brazili drejt Spanjës u kap në portin detar të Santos, ende pa u nisur. Ngarkesa është kapur më datë 18.02.2021 dhe mësohet se kokaina ishte fshehur në motorin frigoriferik të një kontenieri, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar, me destinacion Portin e Valencias, në Spanjë.

Ish zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës ishte në dijeni të aktivitetit kriminal të të birit. Në përgjime, Eralb Breçani u tregon bashkëfolësve se i ati i kishte dhënë instruksione si të ruhej, duke u bërë thirrje që t’i heqin telefonat, pasi po përgjoheshin aplikacionet e “SkyECC”.