Kërcënimet për vendosjen e bombave në shkolla kanë shkaktuar shqetësim në disa vende të Europës. Pas një vale alarmesh të rreme në Itali, autoritetet gjermane dhe daneze kanë nisur hetimet pas marrjes së emaileve kërcënuese në disa institucione arsimore.
Në Gjermani, më shumë se 450 shkolla në landin Baden-Württemberg kanë marrë kërcënime me bombë përmes postës elektronike. Alarme të ngjashme janë raportuar edhe në landin lindor të Turingisë, ku policia ka bërë të ditur se kërcënimet nuk konsiderohen të besueshme.
Edhe në Danimarkë, policia po heton mesazhet kërcënuese të dërguara në disa shkolla në të gjithë vendin, ndërsa ka theksuar se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.
Këto zhvillime vijnë pas incidenteve të ngjashme në Itali, ku më shumë se 300 shkolla u evakuuan në fillim të këtij muaji pas marrjes së emaileve që paralajmëronin për vendosjen e bombave. Në mesazhe pretendohej gjithashtu se një pajisje shpërthyese ishte vendosur në makinën e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Vetë Meloni deklaroi se kontrollet e kryera nga autoritetet nuk kishin zbuluar asnjë element që të tregonte për një rrezik konkret. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, bëri të ditur se ishin regjistruar rreth 300 sinjalizime të tilla, duke ngritur dyshime për një strategji të koordinuar.
Mesazhet përmbanin kërcënime të rënda dhe pretendime për vendosjen e mjeteve shpërthyese me telekomandë në ndërtesat shkollore. Ato ishin nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov, lider i Vilayat of Misoginistan”, i njëjti emër që ishte përdorur edhe në kërcënime të drejtuara ndaj mediave në Irlandë dhe Bullgari.
Kërcënime të ngjashme janë raportuar gjithashtu në shkolla në Britaninë e Madhe dhe Irlandë më 11 nëntor, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa sigurie dhe në disa raste të evakuojnë godinat.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve europiane për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme, përfshirë ato përmes emailit, sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në sistemet informatike.