Mungoi në mbledhjen e grupit të PS, Rama takohet me Ballukun në Vilën 30

Kryeministri Edi Rama është takuar mesditën e sot me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për 5 vepra penale.

Balluku mungoi në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, mëngjesin e kësaj të hëne, por më vonë gjatë ditës ajo u takua me Ramën në Vilën 30 në zonën e ish-Bllokut, ku kanë qëndruar rreth një orë e pak.

Takimi vjen pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme doli me një njoftim zyrtar për akuzat e Ballukut, e cila edhe pse është e pandehur, vijon ende të gëzojë imunitetin si deputete.

Po ashtu SPAK ka shtyrë me tre muaj hetimet ndaj ish-numrit dy të qeverisë.

Akuzat e SPAK ndaj Ballukut:

   “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

•          “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

•          “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

•          “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave  privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.

•          “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).