45 të vdekur nga sulmi në kampin e refugjatëve, kryeministri izraelit: Ishte gabim tragjik

Ka shkuar në 45 numri i të vdekurve nga sulmi ajror në një kamp për civilët në Rafah, ndërsa mbi 200 kanë mbetur të plagosur. 

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmi ajror vdekjeprurës i izraelit të dielën në kampin e refugjatëve në Rafah ishte një gabim tragjik.

“Megjithë përpjekjet tona më të mira, për të mos dëmtuar ata që nuk janë të përfshirë, fatkeqësisht një gabim tragjik ndodhi mbrëmë. Ne po hetojmë rastin”, tha Netanyahu në një fjalim ditën e sotme.

Sulmi ajror ka nxitur reagime të ashpra nga liderët botërorë, të cilët bënë thirrje për zbatimin e urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndaljen e sulmeve.

Kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit janë duke u rritur për luftën e tij kundër Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Madje, edhe aleatët më të ngushtë, përfshirë SHBA-në, kanë shprehur zemërim për shkak të vrasjes së civilëve.