4 të mbytur në Gramsh/ Shefi i zjarrfikëses: Në liqen ka gropa thithëse nga Hec-i, ne patrullojmë po sot qëlloi keq

Një tragjedi ka ndodhur në Gramsh ditën e djeshme ku babai me dy djemtë dhe me nipin e tij janë mbytur në liqenin e Banjës.

Shefi i Zjarrfikëses në Gramsh ka treguar detaje në lidhje me ngjarjen ndërsa tha se në liqen ka gropa që janë hapur në kohën kur u ndërtua HEC-i, ndërsa për ata që nuk dinë not është shumë e vështirë për të dalë.

“Ngjarja është e rëndë. Babai me dy djemtë e vetë kanë ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari dhe kanë shkuar me radhë të shpëtojnë njëri-tjetrin, dhe djali i ri. Asnjë prej tyre nuk ka ditur not. Ka pasur disa gropa që janë bërë gjatë kohës kur u bë Hec-i i Banjës. Ato gropa kur futesh menjëherë të zhysin dhe ata kur janë larë, kanë përfunduar në këto gropa dhe duke mos ditur not kanë mbytur njëri-tjetrin. Liqeni nuk është për tabela informuese, liqeni është i thellë i gjithë, dihet që nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ata kanë hyrë… Faktikisht nuk lahen në liqen. Ne e patrullojmë, si shërbim zjarrfikës, edhe dje këtu kemi qenë, deri në darkë vonë se kemi një gomone që patrullojmë vazhdimisht, bëjmë edhe mësime treguese. Fatkeqësisht sot nuk erdhëm, qëlloi keq shumë keq, për ta dhe për familjet e tyre”.

Sot nuk erdhëm, qëlloi shumë keq që nuk ishim. Nuk ka nevojë për roje, këtu nuk lahet njeri tjetër. Këtu janë larë, por nuk lahet njeri. Një njeri që nuk di not, nuk duhet të futet për t’u larë, absolutisht jo.”, tha ai.

Pas 90 minutash kërkime, katër viktimat; Arben Zogu 46 vjeç dhe dy djemtë e tij, Ruben dhe Esti Zogu dhe nipi, Melsi Zogu, 20 vjeç, u nxorën të pajetë nga liqeni me ndihmën e palombarëve.

Në vendngjarje nuk ka patur tabela që të njoftonin për gropat thithëse.