4 familjarë në Prokurorinë e Tiranës, justifikimi i Ermonela Felaj: Jemi me shkollë!

Rasti i Ermonela Felaj është një këmbanë alarmi për sistemin e Drejtësisë në vendin tonë, pasi 4 familjarë të deputetes socialiste janë punësuar në Prokurorinë e Tiranës, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Por pavarësisht “uzurpimit” që familjarët e saj i kanë bërë Prokurorisë së Tiranës, Ermonela Felaj vijon e pashqetësuar të tregohet arrogante në sallën e Kuvendit. Përplasjen me deputetët demokratë e ka kaluar me të qeshur dhe me arrogancë, ashtu si çdo çështje tjetër që e ka prekur personalisht, siç ishte rasti i inceneratorëve.

Madje, sot në seancën plenare ka gjetur edhe justifikimin për punësimin e familjarëve të saj në Prokurorinë e kryeqytetit. Pas akuzave që deputeti Luan Baçi hodhi në drejtim të saj, Felaj u justifikua me faktin se ata familjarë janë me shkollë të lartë dhe magjistraturë, ndaj janë punësuar.

Ngrihet pyetja: A mos vallë vetëm familjarët e Ermonela Felajt kanë bërë shkollë? Po ata mijëra qytetarë të tjerë që kanë mbaruar 2 apo 3 shkolla dhe s’po gjejnë dot një punë për të mbajtur familjen? Zonja Felaj duhet të mendohet mirë përpara se të japë këto përgjigje arrogante dhe të pamenduara mirë, pasi mund të humbasë edhe atë pak mbështetje që ka nga qytetarët, sepse ishte një nga deputetet më pak të votuara të PS-së në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2021.

Pjesë nga debati:

Baçi: Shkelja e rregullores është bërë rutinë, nuk përbën lajm. Grumbullimi i të gjithë institucioneve të drejtësisë për t’i bërë një analizë, për t’i dëgjuar sot dhe për të folur në kohë të kufizuar… do kishit bërë vetëm një gjë të mirë sot që ju të paktën të mos ishit drejtuese e seancës për arsyen se keni uzurpuar gjithë Prokurorinë e Tiranës me familjarët tuaj. Kjo tregon që e keni bërë këtë shtet, drejtësinë dhe parlamentin, duke e mbajtur vetëm ju në një dorë….

Felaj: Zoti Baçi e kuptoj që ju vini nga Bashkimet Profesionale dhe kultura e vjetër komuniste e të marrit me familjarët nuk ju vë dot në pozitë tjetër sepse ajo është në ADN-në tuaj. Por uluni se këtu nuk jemi mbledhur për familjarët e mi, por jeni për të ushtruar detyrën…
Baçi: Se nga vij unë e dinë ata që më kanë sjellë këtu. mos t’u djegë fare e keni mbushur prokurorinë me familjarët tuaj.
Felaj: Dhe meqë i ke kaq merak familjarët e mi ta dish ti dhe gjithë të tjerët që familjarët e mi, përfshirë dhe unë vetë nuk na i ka dhënë ato tituj politika, por arsimi zotëri. Magjistrat të bën shkolla. Nuk jemi plepista, nuk jemi nga listat e Sali Berishës që i bënte gjyqtarët dhe prokurorët me lista. Ato çështje ka kush t’i trajtojë. Ju mos sillni familjarë në këtë sallë, është shumë e shpifur kultura juaj komuniste.