Partitë në Shqipëri kanë një raport shumë të vështirë me konceptin e pavarësisë së drejtësisë. Në kohën e diktaturës kur e majta qeveriste përmes partisë shtet, PPSH, ishte drejtësia popullore që merrte vendime. Drejtësia popullore përbëhej nga një grup injorantësh të komanduar nga regjimi totalitar që vulosën vrasje e burgosje për pesë dekada. Me pak fjalë, koncepti i të drejtës ishte një nocion i harruar. Gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, u shkelën dhunshëm të drejtat e njeriut. Mijëra shqiptarë u vranë e dënuan nëpër burgje përmes vendimeve të “drejtësisë popullore”.
Me rënien e diktaturës komuniste, nisi të reformohej sistemi i drejtësisë. Në një proces shumë të ngadaltë dhe mjaft problematik, e majta por edhe e djathta nuk ia kanë dalë të realizojnë reformë të plotë që garanton pavarësinë e gjyqsorit. Vitet e para të pluralizmit, maxhoranca e djathtë bëri disa hapa në ngritjen e institucioneve të drejtësisë por ato nuk e patën pavarësinë nga politika. Historia vazhdoi me socialistët në vitin 1997 kur morën pushtetin dhe gjithashtu e përdorën sistemin e drejtësisë për të dhënë vendim në interes të politikës. Një ndër rastet flagrante është zgjedhja e kreut të Gjykatës Kushtetuese nga radhët e politikës.
Fehmi Abdiu, ishte deputet i Partisë Socialiste i zgjedhur në vitin 1997. Ai mbajti detyrën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve deri në fundin e vitit 1998 kur dhe u zgjodh kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Kishte qënë një ndër zërat politik më të fortë të mazhorancës socialiste dhe u zgjodh nga radhët e politikës për t’u vendosur në krye të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Pa marrë parasysh kriterin e pavarësisë së anëtarëve të sistemit të drejtësisë nga politik, Abdiu u zgjodh me forcën e kartonit të shumicës socialiste, edhe pse kishte shërbyer si gjyqtar në diktaturë ku kishte dhënë dënime me vdekje për akuza politike.
Në këtë detyrë, Abdiu i shërbeu mazhorancës në të ardhmen shumë të afërt, në atë të zgjedhje të vitit 2001, kur u shfaq fenomeni i Dushkut. Në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, në zonën elektorale të Dushkut me një numër të kufizuar prej 27,043 zgjedhës të regjistruar, u zgjodhën 11 deputetë, 10 prej tyre i përkisnin mazhorancës. Por zgjedhjet e vitit 2001, u konsideruan të manipuluara në tërësi.
Opozita e kohës” Bashkimi për fitore”, ankimoi në gjyaktën kushtetuese shumicën e mandative që ishin shpallur fituese nga mazhoranca. Gjithashtu PS ankimoi ato që ishin fituar nga opozita, por në finale Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë në shumicën e zonave, maxhorancës socialiste duke përcaktuar kështu numrat e mazhorancës në parlamentin e dalë prej atyre zgjedhjeve. Misioni i OSBE/ODIHR-it nuk i cilësoi zgjedhjet e rregullta dhe perëndimi kushtëzoi maxhorancën e majtë të përdorte kartonat e shumicës së cilësuar.
Kompromiset më të mëdha politike lidhen me drejtësinë. Në kulmin e përplasjeve në Partinë Socialiste në vitet 2001-2005, opozita e kohës bashkoi votat me një fraksion në PS për të hequr kryeprokurorin e kohës, Arben Rakipin, dhe detyruan Presidentin Alfred Moisiu të sillte një prokuror konsensual, Theodhori Sollakun.
Historia e politizimit të skajshëm të sistemit të drejtësisë do të vazhdonte thuajse njësoj gjatë mazhorancës së demokratëve, ndonëse konflitet brenda saj sollën emra më të dakortësuar në sistemin e drejtësisë. Kryeprokurorja Ina Rama u zgjodh nga ish Presidenti Bamir Topi dhe mori pëlqimin nga maxhoranca e djathtë ndërsa më vonë ajo do të shpallej armike pas ngjarjeve të dhunshme të 21 Janarit 2011, deri sa kryeministri Sali Berisha do e cilësonte si “lavire bulevardi”.
Rasti më ekstrem është kur ish Presidentit do i rrëzoheshin në bllok 5 kandidatura për në Gjykatën e Lartë, pasi kërkohej “pëlqim” paraprak për çdo emër. Vlen të theksohet gjithashtu se disa prej kandidaturave të Presidentit ishin në konflikt të pastër interesi.
Maxhoranca e djathtë ishte më e qetë pas vitit 2011 kur president u zgjodh Bujar Nishani. Ndër lëvizjet e para, Nishani solli një kryeprokuror të ri, Adriatik Llalla, i cili sot ndodhet i arratisur me një akuzë në shpinë për korrupsion.
Reforma në drejtësi e shpallur me bujë nga mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama, u duk se do të sillte rezultate konkrete referuar edhe faktit të monitorimit të SHBA. Por sot pas tetë vitesh, prej kohës kur u miratua në parlament, reforma në drejtësi ka krijuar një situatë të ngjashme me kohën e Fehmi Abdiut.
Dhjetëra miliona euro të shpenzuara dhe mijëra dosje që presin ende drejtësi është kostoja e Reformës në Drejtësi, e cila u votua me unanimitet në vitin 2016.
Por largimi i shumë emrave, dënimi i shumë ish gjyqtarëve dhe prokurorëve, solli më pas edhe mjaft emërime nepotike dhe politike. Disa prej tyre në kushte flagrante, si motra e ministres Balluku që ka rol kyç në procesin e vetingut.
Dje, kryetari i ri i KPA-së, Sokol Çomo u zgjodh në mënyrë unanime nga kolegët e tij dhe do ta ushtrojë funksionin për një mandat 3-vjeçar. Çomo është thellësisht një kandidaturë politike që ka shërbyer si ish zëvëndësministër në qeveritë socialiste.
Por rasti i fundit me deputeten dhe nënkryetaren e Kuvendit, Ermonela Felaj i vendosi vulën kapjes ekstreme të sistemit të ri të drejtësisë. Katër familjarë të saj janë emëruar në prokurorinë më të rëndësishme të vendit atë të kryeqytetit. Në mars të vitit 2019, KLP vendosi të emërojë si prokuror në Tiranë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikajn, pa kaluar më parë procesin e vetingut. Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në mbledhjen plenare të datës 29 maj, u miratua projektakti për transaferimin e bashkëshortes së këtij të fundit, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës. Ndërsa në 27 qershor me 10 votat e anëtarëve të pranishëm projektaktet për renditjen e kandidatëve për tre pozicione vakante në Prokurorinë e Tiranës, ku në të tre rastet e para në listë u rendit prokurorja e Vlorës, Eranda Felaj, motra e Ermonela Felajt. Dhe siç e pranojnë vetë anëtarët e KLP-së, kjo është “too much”.
Problemi është se asgjë nuk mund të zhbëhet dhe për dekada do vijojë kjo drejtësi.
Mesa duket, nuk ka pasur mision më të madh për politikën shqiptare sa të kapë drejtësinë. Dhe ia ka dalë. Ende nuk ka një politikan të dënuar që ka pasur pushtet real, ndonëse Shqipëria është vendi më i korruptuar i Europës.