25 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, homazhe nga familjarët, Berisha dhe deputetë të PD-së

25 vite më parë pranë selisë së Partisë Dmeokratike do të vritej Azem Hajdari, lideri i lëvizjes studentore 1990-91 që çoi drejt rënies së regjimit komunist në Shqipëri.

Në këtë 25 vjetor të ndarjes së tij nga jeta, familjarët dhe deputetë të Partisë Demokratike kanë kryer homazhe te varri i tij pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Bashkëshortja, dy djemtë dhe vajza Rudina, së bashku me Sali Berishën, Flamur Nokën, Edi Palokën dhe disa deputetë të tjerë demokratë, kanë vendosur kurorat me lule në shenjë nderimi.

Kush ishte Azem Hajdari?

 Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998.

Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate.

Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi Hajdari tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.

Në gusht të vitit 1997 bandat e krimit i zënë pritë në Sarandë, në Qafën e Buallit.

Më 18 shtator të vitit 1997, mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste Gafurr Mazreku, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.

Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, të cilat qëlluan me breshëri plumbash në makinën e tij që për fat ishte e blinduar, ku përveç të tjerëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.

Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Në këtë atentat mbeti i plagosur ish Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar Bardhyl Pollo.

Më 12 shtator 1998 vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës.

Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua në disa prej mediave kryesore në botë, dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.

Azem Hajdari është nderuar me titujt:

Urdhri “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë

Urdhri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”