Zgjedhjet për parlamentin europian dobësojnë euron, në Shqipëri monedha europiane ulet në rekordin historik

Zgjedhjet për parlamentin europian kanë bërë që monedha europiane të pësojë rënie në tregun valuator.

Mëngjesin e së hënës, një euro ishte më pak se 1.08 dollar, ndërsa gjatë pjesës më të madhe të javës së kaluar ishte afër 1.09 dollar.

Analistët thonë se lëvizjet nuk duken të mëdha, por se pasqyrojnë mënyrën se si ndihen njerëzit në tregjet ekonomike.

Rënia është reflektuar edhe në tregun valuator shqiptar ku sipas të dhënave, një euro është këmbyer me më pak se 100 lekë duke shënuar një rekord minimal historic.

Në pika të caktuara të këmbimit valutor sot në Tiranë, një euro është blerë me 99.8 lekë dhe shitur me 100.6 lekë.

Ky është niveli më i ulët i këmbimit mes euros dhe lekut që prej momentit kur monedha europiane është futur në tregun tonë.

Kjo në një periudhë kur ende nuk ka nisur mirë sezoni turistik. Zakonisht gjatë sezonit në korrik-gusht, euro pëson rënie edhe më të madhe.