Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, doli partia e parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurit por me gjasë duket se i duhet të negociojë për një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re pasi nuk i ka numrat e nevojshëm.
Rezultatet paraprake krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri.
Sipas të dhënave të KQZ-së, kur janë numëruar 88.59 përqind e votave, del se partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje, me 41.1% apo 307 mijë vota, gati 10% më pak se në zgjedhjet e 2021 kur mori mbi 50 për qind të votave.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 21.99% apo 164 mijë vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta, me 17.68% apo 132 mijë vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me partnerët e koalicionit “Për Kosovën Fituese”, i ka 57 mijë apo 7.65%.
Lista Serbe, i ka 4.05% apo 30 mijë vota që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
Ndërsa ‘Koalicioni për familjen’ mori 2.3% mbi 17 mijë vota. Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti pas mesnate shpalli fitoren, në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën.
“Kurrë nuk është bërë në Kosovë më shumë luftë kundër një qeverie se kësaj tonës. Luftë hibride me oligarkë që kërcënojnë punëtorët, që japin para pa hesap, edhe me opozitarë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë.Edhe prapë se prapë kanë humbur. Prapë se prapë kanë mbetur në opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit, por ju jeni populli i këtij shteti, që e mban shtetin lart dhe ne do t’u qëndrojmë gjithnjë pranë.Gjithashtu koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3, dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj LVV fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.