SPAK përballë Policisë dhe Krimit të Organizuar

Prej disa vitesh, veçanërisht pas zbërthimit të platformës së koduar Sky ECC, Shqipëria është përballur me një realitet tronditës: krimi i organizuar nuk ka vepruar vetëm përballë shtetit, por shpesh brenda tij.

Dosjet e SPAK kanë nxjerrë në pah një bashkëjetesë të rrezikshme mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Këto dosje nuk flasin për oficerë periferikë apo figura të dorës së dytë. Përkundrazi, në qendër të hetimeve kanë dalë ish-zyrtarë të niveleve të larta, drejtues operacionesh, shefa hetimi dhe madje pjesëtarë të forcave elitë. Ajo që i bën këto raste veçanërisht alarmante është fakti se roli i tyre nuk ishte pasiv, por funksional për krimin: informim, mbrojtje, devijim hetimesh dhe, në disa raste, përfshirje direkte në plane kriminale.

Dosjet e Sky ECC përbëjnë një nga goditjet më të forta ndaj pandëshkueshmërisë institucionale. Përgjimet e dekriptuara sollën komunikime të drejtpërdrejta dhe marrëdhënie të afërta mes policëve dhe eksponentëve të krimit të organizuar.

Një nga rastet është ai i Altin Morinës, ish-pjesëtar i RENEA-s. Sipas materialeve hetimore, Morina dyshohet se përdorte njohuritë operative dhe aksesin në informacione të ndjeshme për të ndihmuar grupe kriminale, përfshirë dhënien e informacionit mbi lëvizjet e policisë dhe hetimet në zhvillim.

Në të njëjtën linjë është edhe dosja që përfshin Oltion Bistrin, ish-drejtor i Forcave Operacionale. Akuzat ndaj tij lidhen me shpërdorim detyre dhe favorizim të personave të përfshirë në krim të organizuar.

Ndërsa Dedan Gjoni, ish-shef i Hetimit të Krimeve në Tiranë, del në dosjet Sky ECC si figurë që dyshohet se ka devijuar hetime dhe ka informuar grupe kriminale mbi ecurinë e procedimeve.  Ardit Hasanbega, ish-zyrtar policie në Shkodër, përmendet në hetime për dhënie informacioni mbi lëvizje policie në dosje që lidhen me ngjarje të rënda kriminale.

Prania e tyre në komunikime të tilla tregon se policia, në raste konkrete, ka funksionuar si burim informacioni për krimin e dhunshëm.

Sot, një tjetër zyrtar shumë i lartë i Policisë së Shtetit doli i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal.  Erion Ismaili, zv.drejtor i Policisë së Tiranës, është pezulluar nga detyra me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

SPAK ka arritur depërtojë mes Policisë dhe krimit të organizuar, por sfida mbetet e madhe. Tashmë është vërtetuar nga SPAK se Policia e Shtetit dhe krimi i organizuar janë shumë të lidhura me njëra tjetrën, por pyetja që ngrihet është: A ka vullnetin drejtësia dhe politika ta ndërpresin përfundimisht këtë lidhje?