Zbulohet arsyeja e tritolit në Fresk, gjykata lë në burg porositësin

Prokuroria ka arritur të zbulojë arsyen e vendosjes së tritolit në fasonerinë në pronësi të një shttasi Italian në zonën e Freskut në kryeqytet. Dëshmia e pronarit Italian duket se ka zbardhur të gjithë ngjarjen. Sipas këtij të fundit, shtetasi Edmond Arapi i ka vendosur një gjobë prej 100 mijë euro, duke i thënë se “nëse nuk do paguash, do ta pësosh keq”.

Pasi nuk ka pranuar të paguajë gjobën, Edmond Arapi nga Himara ka organizuar vendosjen e tritolit në fasonerinë e italianit. Ai ka kontaktuar 16 vjeçarin Arnold Vatoci, të cilin e ka porositur të vjedhë një biçikletë dhe më pas i ka siguruar sasinë e tritolit, duke i premtuar 1 milionë lekë të vjetra për ta vendosur në ambientet e fasonerisë. Pasi kanë vendosur tritolin, Arapi dhe i mituri janë larguar dhe janë fshehur. I mituri u fsheh në Valias, ndërsa porositësi në Himarë. Pas dëshmisë së italianit, falë punës së komisariateve 4 dhe 5 është bërë i mundur arrestimi i Edmond Arapit.

Ndërkohë gjykata ka vendosur të lërë në burg Edmond Arapin, ndërsa 16 vjeçari Arnold Vatoci është lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për shkak të moshës së mitur. Arapi është shprehur se nuk e njeh pronarin Italian dhe as 16 vjeçarin, si dhe që nuk ka lidhje me ngjarjen në fasoneri, por fjalët e tij nuk kanë mjaftuar për ta lënë të lirë.

“Nuk e kam njohur dhe as takuar kurrë biznesmenin Italian. Nuk kam asnjë konflikt me të. Unë punoj prej disa kohësh në një gurore në Himarë. Qëndroj një pjesë të kohës atje për të siguuar të ardhura për familjen. As djalin (Arnold Vatocin) nuk e njoh dhe as e kam takuar ndonjëherë. S’jam i përfshirë në këtë ngjarje”, ka thënë Edmond Arapi.