Zbardhet dëshmia e Arben Ahmetajt në SPAK, ish-ministri mohon akuzat për lidhjen me aferën e inceneratorëve

Ish-ministri Arben Ahmetaj u paraqit ditën e djeshme në SPAK, ku qëndroi për më shumë se 5 orë duke iu përgjigjur pyetjeve të oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Ai ka sqaruar dje për prokuroren Enkeleda Millonai pozcionin e tij për inceneratorin e Fierit dhe atë të Elbasanit. Ahmetaj ka deklaruar si ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave se nuk ka patur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët. Gjithashtu Ahmetaj ka mohuar edhe lidhjen me Klodian Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen.

Përsa i përket vilës në Hamallaj, ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses Erjola Hoxha, me të cilën bashkëjeton që nga viti 2022. Sipas Ahmetajt, Zoto nuk ka patur vilë në Hamallaj që t’ia falte atij dhe nuk kishte përse t’ia falte, pasi ai nuk ka patur asnjë rol vendimmarrës për ate aferë.

Ahmetaj ka mohuar edhe pretendimet se Klodian Zoto i ka paguar qëndrimet në hotelet e shtrenjta jashtë Shqipërisë, duke sqaruar se në asnjë rast hotelet ku ka qëndruar nuk janë paguar nga të tjerët, përfshi edhe Klodian Zoton. Ndërsa përsa i përket vilës në Palasë, ai ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me këtë pronë, pasi ajo i përket një shtetaseje zvicerane dhe duhet pyetur ajo.