“Xibraka” dhe reportazhi i RAI 3/ Rama refuzoi 2 interpelanca brenda pak javësh, reagon Bardhi: Frikacak, fshihet pas alibive

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pak pasi kryeministri Edi Rama refuzoi kërkesën e tij për interpelancë urgjente në lidhje me reportazhin e RAI 3.

Në një postim në rrjete sociale, Bardhi shkruan se Rama po i fshihet përballjes me demokratët duke përdorur disa alibi, fillimisht duke pritur përgjigjen e SPAK pas kallëzimit që vëllai i kryeministrit kishte bërë ndaj tij sa i takon Xibrakës.

Ndërkaq Bardhi shprehet se sot Rama ka gjetur një alibi tjetër, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit se do të pranojë interpelancën e kërkuar nga demokratët, por pasi të mbarojë betejën e tij me emisionin investigativ, Report në RAI 3, ku mes të tjerash veç marrëveshjes me Italinë për emigrantët, përmendej vëllai i tij Olsi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi.

Kjo është interpelanca e dytë që Rama refuzon brenda pak javësh. Më herët gjatë këtij muaji, Bardhi publikoi të dhëna që sipas tij e përfshinin vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama, në hetimet e kryera për një grup kriminal për trafikun dhe përpunimin e drogës, i njohur si grupi “Xibraka” dhe kërkoi interpelancë me kryeministrin, me këtë të fundit që refuzoi.

Reagimi i Bardhit:

Nuk është vetëm qesharak, por edhe frikacak!

Herën e parë u fsheh me alibinë që të mbarojë njëherë punë SPAK me kallëzimin që Olsi Rama kishte bërë ndaj meje dhe pastaj do të vinte për tu përgjigjur në Kuvend. Kur SPAK mbarojë punë me atë paçavure propagandistike, sot paska shpikur alibinë e rradhës, siç e paralajmërova edhe dje, që do të mbarojë njëherë punë me “Rai 3”, pastaj do të vijë për t’u përgjigjur në Kuvend.

Ankohet se nuk i është dhënë mundësia të përfshirëve në investigimin e “Rai 3” që të japin sqarimet e tyre, por ndërkohë i fshihet Kuvendit. Shqiptarët kanë një muaj që presin sqarimet, por Edi Rama fshihet, Olsi fshihet, kushdo i përfshirë fshihet.

Faktet dhe pyetjet janë të thjeshta, kanë mbetur 1 muaj pa përgjigje, duke u fshehur pas tymnajës me gënjeshtara dhe alibi ditore, që rrëzohen nga nervozizmi që të shtohet çdo ditë.

Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës.

Pyetje 1: Cfarë e lidh Olsi Ramën me krerët e narko-organizatës?

Fakti 2. Nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës.

Pyetje 2: Pse ka përdorur në të njëjtën kohë, të njëjtën makinë, Olsi Rama dhe trafikantët e dënuar të Xibrakës.

Fakti 3. Policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Olsi Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.

Pyetje 3: A keni kërkuar informacion nga Policia e Shtetit për pamundësinë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë?

Fakt 4. Policia dhe Prokuroria sipas gjykatës kanë kryer hetime të mangëta dhe kanë lënë në harresë dosjen 335/1-2016 që kishte si qëllim të identifikonte bashkëpunëtorët e tjerë të grupit kriminal.

Pyetje 4: Si Kryeministër i Shqipërisë, a mendon që ky procedim duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe personat e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge të mbahen përgjegjës.

Secili prej këtyre fakteve dhe përgjigja rreth tyre, ka të bëjë vetëm me ty dhe Olsi Ramën, aspak me imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i Olsit dhe Olsave të tu, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë ata qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që nuk përfshihen në trafik droge, që nuk pasurohen përmes korrupsionit madhor, që punojnë me ndershmëri, pavarësisht vështirësive që i krijon keqqeverisja jote 11 vjeçare.

Boll u fshehe, respekto Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Shqiptarët nuk kanë nevojë për epitete banale, batuta 2 lekshe, sharje, mallkime apo fyerje, por kanë nevojë për të vërtetën, kanë nevojë për luftë reale ndaj pandëshkueshmërisë së njerëzve të pushtetëshëm.

Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj ripërsëris kallëzimin e depozituar që në 29 Mars 2024 për heqjen e pezullimit ndaj procedimit penal nr. 335/1-2016.

SPAK duhet të na provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë.