50-vjeçari Ervin Shahini, i cili u arrestua më 26 janar të këtij viti në Korenë e Jugut do të ekstradohet drejt vendit tonë.
Shahini është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një taksisti dhe plagosjen e 4 të tjerëve, ngjarje e ndodhur në vitin 1995.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
50-vjeçari Shahini prenotonte taksitë për të shkuar në destinacionet e kërkuara, më pas godiste drejtuesit e automjeteve me thikë, iu merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes.
Ervin Shahini duke përfituar nga trazirat e muajit mars të vitit 1997, ishte arratisur nga burgu.
50-vjeçari përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar në Kore, për t’iu shmangur arrestimit.