Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, 69 vjeçari i arrestuar mohon krimin: Nuk e kam bërë unë

Thoma Mastora, i cili akuzohet për vrasjen e çiftit të moshuar në fshatin Bodrishtë të Dropullit, ka mohuar autorësinë për krimin e rëndë. 69 vjeçari është marrë një pyetje, një ditë pas ndalimit të tij, ndërsa ka thënë se nuk është ai personi që dhunoi për vdekje Kosta dhe Kleoniqi Ilian.

“Nuk jam unë personi që kam kryer krimin, kërkojeni diku gjetkë”- mësohet të ketë thënë 69 vjeçari. Ai do të dalë nesër para gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë arrest me burg.

Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit.

Mësohet se Thoma Mastora, pasi piu kafe në banesën e tyre më 2 maj, pas një konflikti të çastit ai ka vrarë çiftin dhe është larguar.

Të moshuarve iu konstatuan shenja dhune me sende të forta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Ndaj tij rëndon akuza penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi në momentin e arrestimit i është gjetur një sasi municioni luftarak, si edhe mjeti më të cilin ka vrarë të moshuarit që është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencor.

Për dokumentimin e ngjarjes, grupi hetimor ka përcaktuar orarin se kur mund të ketë ndodhur ngjarja, si dhe ka sekuestruar prova që vertetojnë autorsinë e Thoma Mastoras, i cili në të shkuarën rezulton të ketë patur probleme të shëndetit mendor.