Vrasja me thikë e 40-vjeçarit në Babrru, autori arrestohet në Durrës

Është arrestuar në Durrës Arlind Demushi, autor i vrasjes së 40 vjeçarit Hajdar Ismajlgeci , ngjarje kjo e ndodhur dje në Babrru.

Policia sqaron se krimi ndodhi për motive të dobëta mes Demushit dhe Ismajlgecit. Mësohet se viktima dhe autori kanë qenë në një lokal duke pirë me njeri tjetrin. Më pas ata janë konfliktuar jashtë lokalit dhe autori në gjendje të dehur e ka qëlluar me thikë duke e lënë të vdekur. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe arrestimi i tij u bë i mundur pas disa orësh.

Gjatë momentit të arrestimit, 38 vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Veprimet e shpejta hetimore zbardhin rrethanat dhe autorësinë e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Babrru.     

Kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari që dyshohet se vrau me thikë 40-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta me të.        

Në momentin e arrestimit, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit. 

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e shkakut të vdekjes së shtetasit H. I., 40 vjeç, i cili u gjet mbrëmjen e djeshme, në rrugë, pa shenja jete dhe me plagë të shkaktuara me mjet prerës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorit të dyshuar.  

Pas identifikimit, u bë lokalizimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 38 vjeç, i cili u kap në Durrës dhe u vu në pranga, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSh.  

Nga hetimet dyshohet se 38-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, 40-vjeçarin, i cili për pasojë ka humbur jetën.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.