Gjykata e Tretë e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samsonin, autorin e vrasjes së 22-vjeçares me origjinë shqiptare, Ilaria Sula.
E reja u vra në mars të vitit 2025 nga ish-i dashuri i saj, i cili e goditi me thikë dhe më pas e hodhi trupin në një humnerë, të mbyllur brenda një qeseje.
Vendimi u shpall në sallën e gjyqit të burgut Rebibbia në Romë. Samson, i cili kishte pranuar autorësinë e krimit, nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.
Ai akuzohej për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.
Babai i Ilaria Sulës: Burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne
Pas shpalljes së vendimit, Flamur Sula, babai i 22-vjeçares, deklaroi se drejtësia ishte vënë në vend, por asnjë vendim gjykate nuk mund ta shuajë dhimbjen e familjes për humbjen e vajzës.
“Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, babai i Ilaria Sulës përcolli edhe një mesazh për të rinjtë, duke i nxitur të respektojnë njëri-tjetrin dhe të mos i mbajnë të fshehta shqetësimet që mund të përjetojnë.
“U them miqve të Ilaria-s dhe në përgjithësi të rinjve: respektoni njëri-tjetrin dhe flisni me prindërit tuaj. Mos heshtni”, apeloi Flamur Sula.
Nëna e 22-vjeçares: “Respektoni gratë, duajini ato”
Edhe Gëzime Sula, nëna e viktimës, iu drejtua të rinjve me një mesazh të shkurtër, por të fortë, në një moment të mbushur me dhimbje dhe emocione.
“Respektoni gratë, duajini ato”, u shpreh ajo.
Më vonë, mes lotësh dhe e mbështetur te bashkëshorti i saj, nëna e Ilaria Sulës shtoi fjalët prekëse: “Tani ajo është në paqe”.