Vrasja e dy vëllezërve Haxhia në Durrës/ GJKKO dënon me 25 vite burg Klevis Allën, pushohen akuzat ndaj Altin Ndocit

Gjykata ka vendosur dënimin me 25 vite burg për Klevis Allën, për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës.

Gjykata ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, i cili mbetet i dyshuar për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija.

Implikimi i Ndocit në këto krime doli pas dëshmisë së Klevis Allës. Në atë kohë ai rrëfeu se në ngjarje ka marr pjese edhe Altin Ndoci.

Por ndryshe ka rrëfyer bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani i cili ka dëshmuar se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje më Durrës.

Në të tilla kushte mbrojtja i kërkoi gjykatës pushim te akuzave, për të cilën gjeti miratim të togave të zeza.

Gjykata e Posaçme ka dhene 6 vjet burg per Besjan Xhixhen dhe 5 vjet per Enver Diven.

Mësohet se ata kanë pasur si “detyrë” që të studionin territorin ku do të ekzektuoheshin dy vëllezërit, ndërkohë që ndiqnin lëvizjet e tyre hap pas hapi për të kryer më pas edhe vrasjen me pagesë.

Klevis Alla ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Duminin i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë. Bashkë me Nuredini ishte edhe një person po kapuç, por nuk e njihte.

Po ashtu Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për tu takuar. Sipas të penduarit Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shume dhe ka ardhur tek tregu i Shënavlashit. Sipas të penduarit asnjë nuk ishin në dijeni që Besmiri ishte me vëllain e tij Viktorin.

Sapo makina golf 6 është afruar, Klevis Alla ka treguar se Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar e ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur.

Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Klevis Alla ka treguar se Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar vëllezërve ku ka qëlluar sërish mbi ta.

Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe ai personi tjetër kanë zbrit dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës. Ndërsa Alla e ka braktisur makinën Benz disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit.