Detaje të reja dalin në dritë për ngjarjen tragjike të 8 korrikut, ku 23-vjeçari Renis Dobra u mor peng, u mbyt me litar dhe më pas u hodh në shpatin e liqenit të Shkopetit bashkë me automjetin e tij, si përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit.
Nga veprimet e fundit hetimore, rezulton se katër persona janë përfshirë në rrëmbimin e viktimës, ndërsa dy prej tyre ndodhen në arrati jashtë vendit.
Sipas pamjeve filmike dhe provave të siguruara gjatë hetimit, në rrëmbim dhe vrasje kanë marrë pjesë Fatjon Bushgjoka (i arrestuar), Aleksandër Bushgjoka, Kristi Bushgjoka dhe Petrit Çakrri (ky i fundit po ashtu i arrestuar).
Hetimet kanë zbuluar se Aleksandër Bushgjoka ka kaluar kufirin drejt Kosovës një ditë pas ngjarjes, më 9 korrik, përpara se të shpallej në kërkim.
Për Kristi Bushgjokën, autoritetet dyshojnë se edhe ai ndodhet i fshehur në Kosovë. Petrit Çakrri ndërkohë u kap në hyrje të Tropojës, pasi kishte kaluar fillimisht nga Kosova.
Policia shqiptare është në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e dy personave të arratisur.
Pista kryesore e hetimeve lidhet me konflikte për trafik droge në Gjermani, ku dyshohet se viktima dhe vëllezërit Bushgjoka kanë qenë të përfshirë.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë vepruar me porosi nga persona të tretë, si pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal.