Votojnë emigrantët e parë për zgjedhjet e 11 Majit, zarfet mbërrijnë sot në KQZ

Brenda dy ditësh pritet të përfundojë dërgimi i fletëve të votimit të Diasporës. Kështu u shpreh kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat këtë të mërkurë.

Ai tha se deri tani, përmes postës janë dërguar jashtë vendit 90 mijë zarfa me fletë votimi, që përbëjnë 36.3% të numrit total të zgjedhësve që janë regjistruar si votues nga jashtë. Shtetet me të mëdha me shpërndarjen e zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania.

Celibashi tha po ashtu se janë 111 votues që kanë votuar dhe kanë njoftuar me telefon postierin dhe është tërhequr zarfi. Zarfet me fletët e votimit të emigrantëve pritet të mbërrijnë sot në KQZ.

“Kemi nisur sot përgatitjen e dërgimit të dokumentacionit zgjedhor për qarkun Korçë dhe Lezhë, në pjesën e dytë të ditës së sotme fillojmë me qarkun Tiranë. Deri tani kemi dërguar rreth 90 mijë zarfe që përbëjnë 36.3% të numrit total të zgjedhësve që janë regjistruar si votues nga jashtë.

Shtetet me të mëdha me shpërndarjen e zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania.

Synojmë që gjithë procesin ta [përfundojmë brenda 2 ditëve, sipas raporteve që kemi marrë nga shërbimi postar votuesi i parë që i ka mbërritur zarfi me fletën e votimit i përket qarkut Dibër dhe është në Gjermani, i ka mbërritur në orën 07:15 minuta. Ky është votuesi i parë që ka marrë dokumentacionin zgjedhor të dërguar nga KQZ.  Janë 111 votues që kanë votuar dhe kanë njoftuar me telefon postierin dhe është tërhequr zarfi. Ndoshta sot pasdite, ose nga darka do të mbërrijnë të paktën këto 111 zarfe që janë nisur. Do jetë proces i vazhdueshëm dhe me siguri që në fund të këtij muaji, ose në fillim të muajit maj,  volumi i mbërritjeve do të jetë mijëra. Kemi shpërndarë 36% të dërgesave postare në kohë rekord.

Votimi nga jashtë tashmë konsiderohet i kryer, që në momentin që një prej votuesve që ka marrë zarfin e ka kthyer mbrapsht”- tha Celibashi.